Largimi i Salës, Kryeministri zgjedh Klodiana Spahiun në krye të Shëndetësisë
Klodiana Spahiu propozohet nga Kryeministri Edi Rama për detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Klodiana Spahiu është propozuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas largimit të Andis Salës. Propozimi vjen në vijim të angazhimit për një shëndetësi më të aksesueshme dhe një mirëqenie sociale më të fortë.
Nga studimet për mjekësi te specializimi në kardiologji
Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997. Më pas, gjatë viteve 1998–2002, është specializuar në fushën e kardiologjisë pranë QSUT-së “Nënë Tereza” në Tiranë. Ajo ka kryer ndër vite një sërë specializimesh në fushën e kardiologjisë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe eko-dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, në Romë, Itali.
Në vitet 2003–2004 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, Departamenti i Lëndëve Paraklinike. Gjatë periudhës tetor–dhjetor 2005, Spahiu kreu specializim në fushën e kardiologjisë invazive, kateterizimit dhe koronarografisë së zemrës pranë spitalit “Santa Chiara” në Pisa, Itali. Më vonë, gjatë viteve 2012–2014, përfundoi edhe masterin profesional për menaxhimin shëndetësor.
Eksperienca si mjeke dhe drejtuese
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT. Gjithashtu, gjatë viteve 2003–2009 ka punuar si mjeke kardiologe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit, institucion ku më pas është zgjedhur edhe drejtoreshë.
Ajo ka një përvojë të gjatë edhe në fushën akademike. Në vitet 2002–2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë në Universitetin “UFO” në Tiranë. Nga viti 2008 e në vazhdim ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Klodiana Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.